Fillimi i periudhës zgjedhore


Këshilla 1
Besueshmëria e burimeve dhe transparenca

Identifikimi i burimeve: Kurdo që është e mundur, informacioni duhet t’iu atribuohet burimeve të emërtuara. Artikujt që bazohen tërësisht në burime anonime janë, në vetvete, më pak të besueshëm dhe duhen shmangur, veçanërisht në kontekstin e zgjedhjeve.

Burimet anonime: Kur anonimiteti është i domosdoshëm (p.sh., për shkak të frikës nga hakmarrja) përdoren burimet anonime.

Këshilla 2
Rëndësia e distancës profesionale

Ndërsa qasja te partitë politike dhe kandidatët është thelbësore për një raportim efektiv, këto marrëdhënie duhet të mbeten rreptësisht profesionale. Afërsia personale apo miqësitë informale me figura politike mund të shtrembërojnë gjykimin e gazetarit, qoftë edhe në mënyrë të pavetëdijshme. Njohja e afërt nuk duhet të përkthehet kurrë në favorizim.

Një gazetar nuk duhet të:

  • pranojë dhurata, pagesa apo favore nga figura politike apo ekipet e tyre të fushatës;
  • shkëmbejë mbulim mediatik apo heshtje në këmbim të aksesit, informacionit apo përfitimeve personale;
  • marrë pjesë në aktivitete që mund të interpretohen si mbështetje politike.

Çdo formë përfitimi, qoftë kjo edhe një dhuratë e vogël apo një darkë e sponsorizuar,  mund të hedhë hije mbi integritetin e raportimit. Edhe vetë perceptimi i njëanshmërisë mund të dëmtojë besimin e publikut te paanshmëria e medias.

Këshilla 3
Njohja dhe shmangia e konflikteve të interesit

Një konflikt interesi ndodh kur interesat private të një gazetari – qofshin ato financiare, politike apo personale – ndërhyjnë në detyrimet e tij profesionale. Gjatë raportimit zgjedhor, këto konflikte janë veçanërisht të dëmshme, pasi mund të vënë në dyshim jo vetëm një artikull, por besueshmërinë e të gjithë redaksisë.

Organizatat mediatike duhet të kenë politika të qarta që:

  • ndalojnë gazetarët të promovojnë parti politike, kandidatë apo kauza të lidhura me ta; 
  • kërkojnë që stafi të deklarojë çdo përfshirje politike ose punësim të mëparshëm në fushata zgjedhore;
  • parandalojnë spikerët, reporterët dhe producentët të shprehin publikisht opinione politike, sidomos mbi çështje që janë aktualisht në debat publik.

Për shembull, një gazetar që shpreh hapur mbështetje për një parti në rrjetet sociale apo merr pjesë në aktivitete elektorale, komprometon paanshmërinë e tij dhe, në të njëjtën kohë, cenon besueshmërinë e medias që përfaqëson.

Këshilla 4
Sigurimi i integritetit në praktikat e raportimit

Pavarësia redaksionale nënkupton gjithashtu ruajtjen e standardeve të larta gjatë vetë procesit të raportimit. Gazetaria etike nuk mbështetet në taktika të fshehta dhe nuk përfiton nga mungesa e njohurive të të intervistuarve. Plagjiatura, atribuimi i gabuar dhe keqpërdorimi i punës së të tjerëve janë gjithashtu shkelje serioze të integritetit gazetaresk. Gazetarët duhet gjithmonë:

  • të citojnë punën e kolegëve dhe mediave të tjera kur përdorin intervista, artikuj apo përmbajtje vizuale;
  • të tregojnë qartë origjinën e fotove, videove dhe citimeve të përdorura në raportim.

Kjo lloj transparence jo vetëm që përmbush standardet etike, por edhe forcon besueshmërinë e punës gazetareske në sytë e publikut.

Këshilla 5
Respekti për privatësinë, dinjitetin dhe të drejtat e pakicave

Në një shoqëri demokratike, gazetarët nuk janë thjesht vëzhgues të procesit zgjedhor, ata ndihmojnë në formësimin e tij. Mënyra se si raportohen zgjedhjet ndikon ndjeshëm në perceptimin publik, besimin qytetar dhe sjelljen e votuesve. Respekti për privatësinë, dinjitetin njerëzor dhe të drejtat e pakicave nuk është vetëm çështje etike profesionale, por një gur themeli i gazetarisë me përgjegjësi sociale. Gjatë zgjedhjeve, këto vlera udhëheqin mbulimin e kandidatëve, votuesve dhe komuniteteve, veçanërisht atyre që janë të cenueshëm, të nënpërfaqësuar apo në rrezik për t’u stereotipizuar, ngacmuar apo shpifur ndaj tyre.

Zgjedhjet shpesh e zbehin vijën ndarëse midis jetës publike dhe asaj private. Kandidatët politikë, për shkak të ambicies për drejtim publik, pranojnë një nivel të caktuar vëmendjeje. Por gazetarët duhet të bëjnë pyetjen thelbësore: A është ky informacion i domosdoshëm për të kuptuar një çështje me interes publik, apo thjesht plotëson kuriozitetin e publikut? Raportimi mbi shëndetin, jetën familjare, besimet fetare apo marrëdhëniet e kaluara të një kandidati mund të jetë i rëndësishëm vetëm nëse: kundërshton deklaratat publike të kandidatit; ndikon drejtpërdrejt qëndrimet apo politikat që kandidati propozon dhe është i verifikuar dhe i bazuar në interesin publik.

Këshilla 6
Dinjiteti njerëzor dhe fuqia e fjalës

Çdo person, pavarësisht statusit të tij publik, ka të drejtë të trajtohet me dinjitet. Gazetarët zotërojnë një mjet të fuqishëm: fjalën. Gjuha e përdorur, toni dhe mënyra e paraqitjes së tregimeve mund t’i bëjnë subjektet e tyre më njerëzore ose t’i çnjerëzojnë ato. Është detyrim etik i gazetarëve që të shmangin gjuhën stigmatizuese, akuzat e pabazuara apo titujt sensacionalë, që vënë në dyshim karakterin e dikujt ose përforcojnë stereotipa negative.

Kjo vlen njësoj si për kandidatët politikë, ashtu edhe për qytetarët e zakonshëm që intervistohen apo përfshihen në raportime.

Shembull: T’i referohesh  një kandidati të komunitetit rom si “kandidati cigan” është jo vetëm e papërshtatshme, por edhe përjetëson stereotipa të dëmshme. Një formulim më i drejtë dhe i respektueshëm do të ishte: “Kandidati i komunitetit rom, [emri], i cili po zhvillon fushatë mbi çështje të përfshirjes dhe aksesit në shërbime.”

Gjuha respektuese nënkupton gjithashtu shmangien e përdorimit të figurave retorike apo formulimeve, që në mënyrë të fshehur vënë në pikëpyetje moralin, aftësinë ose ndershmërinë e dikujt, pa asnjë provë.

Këshilla 7
Raportimi për komunitetet e cenueshme dhe të pakicave

Grupet e pakicave, qofshin ato të përcaktuara nga përkatësia etnike, feja, gjuha, gjinia, aftësia e kufizuar apo orientimi seksual, shpesh përballen me përjashtim sistematik, si në përfaqësimin politik, ashtu edhe në dukshmërinë mediatike. Gjatë fushatave zgjedhore, gazetarët kanë mundësinë (dhe përgjegjësinë) për të korrigjuar këtë pabarazi, duke amplifikuar zërin e tyre, duke nxjerrë në pah sfidat që përballojnë dhe duke sfiduar narrativat diskriminuese. Raportimi duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe i ndjeshëm ndaj kontekstit. Përdorimi i stereotipave apo reduktimi i individëve në simbole “diversiteti” thellon ndarjet sociale dhe dëmton përfaqësimin e tyre real.

Shembull: Raportimi për një kandidat nga komuniteti LGBT duhet të fokusohet në platformën dhe kualifikimet e tij/saj, dhe jo ta reduktojë identitetin në një titull sensacionali, si: “Kandidati gej garon për kryetar bashkie.” Po ashtu, t’i referohesh një kandidateje grua vetëm në funksion të pamjes apo rolit familjar (si “nënë e përkushtuar”) e zvogëlon kompetencën e saj profesionale dhe kontribuon në pabarazi gjinore.

Këshilla 8
Shmangia e thashethemeve dhe pretendimeve shpifëse

Zgjedhjet janë një terren i përshtatshëm për përhapjen e thashethemeve dhe shpifjeve, shpesh të krijuara për të dëmtuar kundërshtarët. Gazetarët duhet të jenë vigjilentë që  mos  bëhen mjete për përhapjen e pretendimeve të pavërtetuara ose keqdashëse.

Besueshmëria fitohet përmes qëndrueshmërisë dhe kujdesit. Raportimi i thashethemeve, edhe kur përdoret togfjalëshi “thuhet se…”, iu jep atyre një hapësirë që nuk e meritojnë. Në vend të kësaj, standardi i provave duhet të jetë i lartë.

Kur përballeni me thashetheme:

  • Pyesni: Kush po e bën këtë pretendim dhe cili është motivi i tij/saj?
  • Kërkoni konfirmim nga burime të besueshme përpara se të mendoni publikimin.
  • Nëse pretendimi nuk mund të verifikohet, por ka rëndësi për shkak të përhapjes apo ndikimit të tij, raportoni për qarkullimin e pretendimit, jo për përmbajtjen e tij, dhe përqendrohuni në reagimin e publikut, përpjekjet për verifikim të fakteve ose mohimet zyrtare.
Këshilla 9
Roli i gazetarëve në ndryshimin e narrativës

Gazetarët nuk janë thjesht dokumentues të procesit politik, ata edhe e formësojnë atë. Pyetjet që bëjnë, imazhet që zgjedhin, zërat që amplifikojnë dhe mënyra si e kornizojnë një histori ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën se si publiku i percepton kandidatët dhe çështjet. Gjatë zgjedhjeve, kjo fuqi ka një peshë edhe më të madhe.

Për të ruajtur etikën profesionale dhe për të nxitur përfshirjen demokratike, gazetarët duhet:

  • të japin hapësirë dhe dukshmëri të barabartë për kandidatët grad he vajza, duke siguruar që të mbulohen me të njëjtën thellësi dhe seriozitet si kolegët e tyre meshkuj;
  • t’i prezantojnë gratë dhe personat e komuniteteve gjinore jo vetëm si kandidate, por edhe si votuese, eksperte, komentatore dhe udhëheqëse komuniteti;
  • të theksojnë dimensionet gjinore të çështjeve politike, si kujdesi shëndetësor, punësimi, arsimi dhe siguria, duke shmangur narrativat stereotipike apo reduktuese;
  • të përdorin gjuhë përfshirëse dhe neutrale, që afirmon besueshmërinë dhe kompetencën e të gjithë kandidatëve, pavarësisht gjinisë.

Raportimi i ndjeshëm ndaj gjinisë nuk ka të bëjë me ndjekjen e një sërë rregullash të ngurta,  ai kërkon vetëdije të vazhdueshme, reflektim kritik dhe guxim editorial. Më poshtë janë disa kurthe të zakonshme që duhen shmangur, si dhe alternativa më të mira që mund të adaptohen.

Shmangni përshkrimet dhe kornizimet e njëanshme:

  • Në vend që të përqendroheni te pamja apo veshja e një kandidateje, përqendrohuni tek platforma e saj politike apo përvoja ligjvënëse.
  • Shmangni gjuhën nënvlerësuese apo përkëdhelëse, që nuk do të përdorej për një kandidat djalë/burrë.

Shmangni gjuhën seksiste ose përjashtuese:

  • Referojuni individëve sipas rolit të tyre profesional, jo nëpërmjet marrëdhënieve personale (p.sh., përdorni “deputetja X” dhe jo “gruaja e Y”).
  • Zgjidhni tituj pune të paanshëm nga ana gjinore dhe shmangni përdorimin automatik të formave mashkullore.

Jini të vëmendshëm ndaj paragjykimeve të fshehura në folje apo mbiemra: shmangni përshkrime që nënkuptojnë se gratë janë “tepër emocionale”, “të buta” apo “të papërshtatshme” për role udhëheqëse.