Shpallen zgjedhjet


Në Kosovë, zgjedhjet parlamentare duhet të mbahen jo më herët se 60 ditë dhe jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të kuvendit, siç kërkohet nga kushtetuta dhe Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme. Data e zgjedhjeve zyrtarisht vendoset nga presidenti, i cili duhet ta lëshojë vendimin jo më herët se gjashtë muaj dhe jo më vonë se katër muaj para ditës së zgjedhjeve. Megjithatë, për shkak të mungesës së stabilitetit ekonomik, zgjedhjet e jashtëzakonshme shpesh shpallen me paralajmërim të shkurtër, duke i lënë redaksitë me pak kohë për t’u përgatitur. Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 ishin përjashtim; të shpallura më 16 gusht 2024, gati gjashtë muaj para ditës së zgjedhjeve. Ky njoftim pazakonshëm i hershëm, që shënoi zgjedhjet e para të rregullta parlamentare në Kosovë që prej shpalljes së pavarësisë, mundësoi koordinim logjistik dhe planifikim më të mirë. Por, një gjë e tillë është e rrallë dhe redaksive shpeshherë u duhet të reagojnë shpejt, me njoftim minimal paraprak.

Periudha midis shpalljes së zgjedhjeve dhe fillimit zyrtar të fushatës shpeshherë përshkohet nga një shpërthim i komunikatave për shtyp, paraqitjeve publike dhe formave të fshehura të fushatës, shpeshherë të përcjellura nga keqpërdorimi i pushtetit nga zyrtarë që synojnë të ushtrojnë ndikim te votuesit. Në Kosovë, partitë politike shpesh fillojnë të bëjnë fushatë informale edhe para se të shpallen zgjedhjet, sidomos kur bisedat për zgjedhjet fillojnë. Kjo e bën veçanërisht të rëndësishme që gazetarët të monitorojnë se si bartësit aktualë të pozitave i përdorin pozitat e tyre publike, të vëzhgojnë nëse ka vendime për ta joshur votën, veprime për publicitet, si dhe ngjarje të hershme promovuese, që e mjegullojnë vijën midis detyrave zyrtare dhe bërjes së fushatës.

Ky kapitull ofron udhëzime për raportimin gjatë fazës para fushatës, përfshirë shenjat paralajmëruese që duhen vëzhguar në veprimet e zyrtarëve, gabimet e shpeshta në mbulimin mediatik dhe si t’i shmangni ato.

KËSHILLA 10
Jini të vetëdijshëm për fushatat para fillimit zyrtar

Në Kosovë, është e zakonshme që partitë politike të nisin fushatën jozyrtare shumë përpara shpalljes së zgjedhjeve dhe fillimit të fushatës zyrtare 30-ditore. Prandaj, është qenësore që gazetarët të jenë të vëmendshëm gjatë muajve para shpalljes zyrtare. Në vitin e fundit të mandatit të qeverisë, partitë opozitare zakonisht e rrisin aktivitetin e tyre, duke mbajtur më shumë takime rajonale, duke rritur praninë në media sociale dhe duke kërkuar dukshmëri më të madhe publike. 

Në të njëjtën kohë, qeveritë në largim zakonisht fillojnë t’i promovojnë arritjet e tyre dhe të ndërmarrin vendime popullore, siç janë rritjet e pensioneve ose zgjerimi i skemës së asistencës sociale, lëvizje që mund të kenë për qëllim që të tërheqin votuesit. Gazetarët duhet t’i shqyrtojnë për së afërmi këto veprime nga këndvështrimi i fushatës jozyrtare, duke vlerësuar nëse vendimet e këtilla janë të motivuara politikisht dhe të realizuara qëllimshëm në një kohë specifike për ta ndikuar opinionin publik. 

Për shembull, nëse raportoni për rritjen e një pensioni, pyesni se përse po ndodh mu tani dhe nëse ndryshime të ngjashme janë bërë më herët gjatë mandatit. Po ashtu, mund t’u referoheni shembujve të mëparshëm, ku qeveritë e kaluara kanë bërë lëvizje të ngjashme afër zgjedhjeve, duke ofruar kontekst dhe krahasim, ashtu që t’i ndihmoni audiencës që t’i kuptojë më mirë dinamikat.

Po ashtu, jini të vëmendshëm ndaj ndryshimeve ligjore, sidomos amandamenteve në ligjet e zgjedhjeve që mund të bëhen asisoji që t’i ndihmojnë partisë në pushtet.  

Duhet po ashtu të shërbeni si vëzhgues i vazhdueshëm: të monitoroni nëse zyrtarët e qeverisë po i përdorin pozitat, ngjarjet apo burimet zyrtare për fushatë. Vëzhgoni me kujdes nëse infrastruktura publike, platformat institucionale ose paratë e taksapaguesve po përdoren për përfitime politike. Raportimi i hershëm dhe vigjilent për këto zhvillime është qenësor për të siguruar transparencë dhe llogaridhënie para se të fillojë fushata.

KËSHILLA 11
Mbulimi i zyrtarëve që janë edhe kandidatë

Midis shpalljes së zgjedhjeve dhe fillimit zyrtar të fushatës, kandidatët, të cilët mbajnë poste publike, shpesh shfrytëzojnë pozitat e tyre për ta rritur praninë e tyre në media, duke ndjekur ngjarje, nisur projekte infrastrukturore apo duke vizituar institucionet gjoja si pjesë e detyrave të rregullta zyrtare. Derisa ligjet zgjedhore nuk e adresojnë në plotni këtë zbrazëti ligjore, kjo praktikë paraqet keqpërdorim të pozitës zyrtar dhe burimeve për përfitime zgjedhore. 

Media duhet t’u qaset këtyre aktiviteteve me kujdes. Edhe pse mediat mund të raportojnë për detyrat e rregullta të zyrtarëve, ato duhet të shmangin lidhjen e tyre me kandidaturën ose partinë, pos nëse kjo gjë kërkohet prej kontekstit. Për të siguruar një raportim të baraspeshuar, redaksitë duhet të caktojnë rregulla të brendshme për mbulimin e zyrtarëve që janë edhe kandidatë, duke iu shmangur ngjarjeve protokollare dhe duke u dhënë përparësi përmbajtjeve që përqendrohen në nevojat e qytetarëve dhe komunitetit. Kur raportoni në çështje si rregullimi i rrugëve, shihni se në çfarë kohe po bëhet ajo ndërhyrje, kërkoni të dhëna buxhetore dhe zgjidhni burime të ndryshme që shkojnë përtej zyrave të mediave të institucioneve. 

Redaksia juja duhet të adoptojë udhëzues të qartë redaktorialë për mbulimin e zyrtarëve që janë edhe kandidatë.

KËSHILLA 12
Jini të vëmendshëm ndaj reklamimit në media sociale

Shumë parti politike dhe kandidatët e tyre fillojnë të promovojnë veten në media sociale edhe para se të nisë fushata zyrtare, duke e eksploatuar kështu faktin që platformat online nuk mbulohen nga ndonjë rregullore apo ligj specifik në Kosovë. Ky reklamim i hershëm shpesh e përcakton tonin dhe narrativën për fushatën që vjen dhe, padrejtësisht, mund t’ua japë disa partive një fillim më të favorshëm. Për ta vërejtur këtë aktivitet, përdorni mjetet si Meta Ad Library, që jua mundëson t’i monitoroni në baza ditore dhe javore shpenzimet në Facebook dhe Instagram. Ky mjet gjithashtu ju ndihmon të identifikoni cilat grupe demografike po shënjestrohen nga këto parti, si dhe të vlerësoni nëse partitë po fitojnë dukshmëri joproporcionale para se të nisë fushata zyrtare.