Udhëzues për raportimin e zgjedhjeve

Pse ky doracak?

Në demokraci, zgjedhjet janë një prej momenteve më të rëndësishme, kur qytetarët thirren për të marrë vendime që formësojnë të ardhmen e komuniteteve dhe institucioneve të tyre. Mediat bartin përgjegjësi qenësore në këtë proces, jo vetëm për të informuar, por edhe për të mundësuar pjesëmarrje kuptimplotë. Prej raportimit rreth premtimeve gjatë fushatave dhe shpërfaqjes së keqpërdorimit të pushtetit, te shpjegimi se si funksionon vota dhe shumësimi i zërave të grupeve të nënpërfaqësuara, gazetarët luajnë rol themelor për t’u ndihmuar votuesve të bëjnë zgjedhje të informuara.

Megjithatë, raportimi rreth dhe gjatë zgjedhjeve në Kosovë karakterizohet prej sfidave të veçanta. Profesionistëve të medies u duhet të përballen me një ambient të ndërlikuar ligjor dhe të ruajnë paanshmërinë, teksa mbulojnë një diskurs thellësisht të polarizuar politik. Pos kësaj, atyre u bie të ballafaqohen me një ambient ku mediat online janë përgjithësisht të parregulluara përgjatë zgjedhjeve. Njëkohësisht, gazetarët duhet t’i ruajnë standardet më të larta profesionale, ashtu që të sigurohen që raportimi i tyre të jetë i saktë, i pavarur, gjithëpërfshirës dhe relevant. Kjo bëhet edhe më urgjente në një kontekst ku besimi në institucione është i ulët dhe ku dezinformimi dhe raportimi partiak janë mjaft të përhapur.

Ky doracak u zhvillua për t’i mbështetur gazetarët dhe redaktorët në Kosovë, teksa përgatiten për dhe raportojnë për zgjedhje parlamentare dhe lokale. Doracaku ndërthur obligimet ligjore me udhëzime redaktoriale, duke ofruar mjete dhe këshilla që janë lehtë të përdorshme nga redaksitë dhe që e mbulojnë të gjithë ciklin zgjedhor: prej planifikimit të hershëm, te mbulimi i fushatave, raportimi në ditën e zgjedhjeve dhe rezultateve. Doracaku po ashtu vë theksin te zgjidhjet praktike për redaksitë që kanë burime të kufizuara, duke përfshirë udhëzime se si të prioritizohen fushat e fokusit, si të zhvillohet përmbajtja vizuale dhe si të respektohen standardet etike nëpër platforma të ndryshme.

Derisa ky doracak nuk është i bërë specifikisht për zgjedhje të përgjithshme apo për ato lokale, parimet, këshillat dhe mjetet që i ofron, mund të përdoren për të dyja. Secili lloj zgjedhjesh ka veçantitë e veta politike, por misioni thelbësor i gazetarisë mbetet i njëjti: t’i shërbejë publikut me mbulim të paanshëm, informues dhe fuqizues. Ekipet redaktoriale inkurajohen t’i kontekstualizojnë këshillat e ofruara këtu dhe t’i aplikojnë ato përkitazi me llojin e zgjedhjeve dhe nevojat e audiencës së tyre.

Periudhat e zgjedhjeve janë po ashtu një test i besueshmërisë së medias. Mënyra se si redaksitë raportojnë dhe çka ato vendosin të theksojnë e çka vendosin të shpërfillin, ka ndikim afatgjatë te publiku. Ruajtja e etikës gazetareske, aplikimi i disiplinës dhe transparenca në mënyrën se si mbulohen aktorët politikë, jo vetëm që shkon përkitazi me obligimet ligjore, por edhe ndërton besim. Një qasje parimore dhe konsistente gjatë zgjedhjeve mund të përforcojë, jo vetëm besueshmërinë ndaj një entiteti mediatik, por edhe besnikërinë e audiencës. Besueshmëria e besnikëria mbeten edhe pasi të numërohen fletëvotimet. 

Në vend se thjesht t’i përsëritë kërkesat ligjore, doracaku mëton të fuqizojë një gazetari që i shërben interesit publik, duke inkurajuar qasje që në qendër kanë qytetarët, si dhe një gazetari që është tematike dhe shpjeguese. Ai promovon praktika gjithëpërfshirëse, që sjellin vëmendjen te rinia, gratë dhe komunitetet jo-shumicë, si dhe ofron strategji kreative për përdorimin e imazheve, mediave sociale dhe formateve të rrëfimtarisë, për të angazhuar audienca më të gjera, sidomos audienca, që zakonisht mbeten të paangazhuara politikisht. Pavarësisht a jeni pjesë e një redaksie të madhe apo e mediumi të vogël online, ky udhëzues do t’ju ndihmojë t’u qaseni zgjedhjeve jo vetëm si një cikël konferencash për shtyp apo tubimesh, por si një mundësi për t’i shërbyer demokracisë përmes gazetarisë kuptimplotë, të përgjegjshme dhe përfshirëse. 

Ky udhëzues është, metodologjikisht dhe përmbajtësisht, i bazuar në “Doracakun për raportim rreth zgjedhjeve”, botuar nga Mediacentar Sarajevë, në vitin 2024, që është rezultat i viteve të tëra të hulumtimit dhe një numri konsultimesh me profesionistë të mediave në Bosnjë dhe Hercegovinë. Duke njohur specifikat e medies dhe kontekstit politik në Kosovë, ky botim adapton dhe zgjeron atë model, për t’i adresuar sfidat lokale, derisa, në të njëjtën kohë, afirmon standardet e përbashkëta gazetareske në rajon, të cilat i shërbejnë interesit publik. Duke i përshtatur realitetet lokale me standardet rajonale, ky doracak kontribuon në mbrojtjen e integritetit mediatik dhe në fuqizimin e besimit publik gjatë zgjedhjeve.

Shkurtimisht për zgjedhjet në Kosovë

Kosova zhvillon zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale ndaras, secila me mandat katër-vjeçar. Presidenti/ja shpall zgjedhjet parlamentare për t’i zgjedhur 120 deputetë/e përmes përfaqësimit proporcional në një zonë të vetme vendore, me një prag prej 5% për partitë jo-minoritare. Gjithsej 20 ulëse janë të rezervuara për minoritetet etnike, përfshirë 10 për serbët dhe 10 për tjerët, përfshirë komunitetet rom, ashkali, egjiptian, boshnjak, turk dhe goran, me qëllim që të garantohet përfaqësimi i tyre.

Zgjedhjet e rregullta mbahen çdo katër vjet, gjithmonë në ditën e diel, siç parashihet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. Zgjedhjet duhet të mbahen jo më herët se 60 ditë dhe jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të kuvendit. Data e zgjedhjeve formalisht vendoset nga presidenti, i cili, sipas ligjit të njëjtë, duhet të lëshojë vendimin jo më herët se gjashtë muaj dhe jo më vonë se katër muaj para ditës së zgjedhjeve. 

Megjithatë, mungesa e stabilitetit politik shpeshherë ka çuar në zgjedhje të jashtëzakonshme, të shkaktuara prej shpërbërjeve të kuvendit, mocioneve të mosbesimit apo dështimit në formimin e qeverisë përbrenda afatit 60-ditor. 

Zgjedhjet lokale përcaktojnë asambletë komunale dhe kryetarët/et në 38 komunat e Kosovës, me datën e zgjedhjeve që po ashtu, zakonisht vendoset disa muaj përpara, përmes konsultimeve midis presidentit dhe partive politike, derisa zgjedhjet e balotazhit zhvillohen nëse asnjë kandidat për kryetar nuk siguron shumicën e nevojshme. 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mbikëqyr zgjedhjet, menaxhon regjistrimin e votuesve, vendvotimet dhe numërimin e rezultateve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, duke u siguruar që përgatitjet të nisin të paktën 45 ditë para zgjedhjeve. Në zgjedhjet parlamentare përdoret një sistem me lista të hapura, duke ua mundësuar votuesve t’i zgjedhin deri në 10 kandidatë/e për parti, derisa fushata zgjedhore, që fillon 30 ditë para zgjedhjeve, rregullohet nga KQZ.

Votimi i diasporës realizohet përmes postës ose misioneve diplomatike, me pjesëmarrje të konsiderueshme. Zgjedhjet në komunat me shumicë serbe, sidomos ato në veriun e Kosovës, siç është Mitrovica e Veriut, ballafaqohen me sfida të mëdha, përfshirë daljen e ulët në votim, siç ilustrohet prej daljes prej 3.4% në zgjedhjet lokale të vitit 2023 në këto komuna, si dhe ndikimin politik të Serbisë, të manifestuar përmes bojkoteve të mbështetura nga Beogradi, të cilat pengojnë pjesëmarrjen dhe integrimin.