Dita e zgjedhjeve dhe numërimi i votave


​​Dita e zgjedhjeve është prej momenteve më të ngarkuara në planin e mbulimit të një redaksie. Ajo kërkon koordinim, qartësi të roleve dhe respektim rigoroz të ligjeve dhe standardeve redaktoriale. 

Gazetarët kanë përgjegjësi të dyfishtë: të respektojnë heshtjen zgjedhore dhe të raportojnë në mënyrë aktive dhe të përgjegjshme për mbarëvajtjen dhe integritetin e procesit të numërimit. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe rregullave të KPM-së, mediave nuk u lejohet të transmetojnë ose publikojnë çfarëdo përmbajtjeje që lidhet me fushatën prej momentit që hapen vendvotimet në 7:00 derisa të mbyllen në 19:00. Gjatë kësaj periudhe, media nuk mund të transmetojë deklarata nga kandidatët, përpos nëse bëhet fjalë për udhëheqësit partiakë dhe kandidatët për postin e kryeministrit apo kryetarit të komunës. 

Megjithatë, nga gazetarët pritet ta mbulojnë procesin zgjedhor në vetvete. Kjo përfshin informimin e publikut rreth daljes në zgjedhje, sfidave logjistike, incidenteve në qendra të votimit dhe përditësimeve nga KQZ dhe institucionet tjera relevante. 

Seksioni më poshtë ofron këshilla se si të mbulohen zgjedhjet asisoji që të respektohen rregullat e heshtjes zgjedhore, duke ua mundësuar mediave që të informojnë publikun me përgjegjësi, pa ndërhyrë në procesin zgjedhor.

KËSHILLA 22
Sigurohuni që secili e di se çka duhet të bëjë

Redaksitë duhet të përgatiten mirëfilli para ditës së zgjedhjeve. Kjo përfshin caktimin e gazetarëve për rajone ose qendra specifike të vendvotimit dhe caktimin e qëllimeve të qarta redaktoriale për atë ditë. Redaktorët duhet të jenë të qartë rreth asaj se sa gazetarë do të jenë në terren, si do të udhëtojnë, a është siguruar transporti dhe si do të mbahet komunikimi gjatë ditës. Gazetarët e terrenit duhet të dinë nëse mund të dorëzojnë përmbajtje prej vendndodhjes së tyre dhe se cili person në redaksi do të koordinojë përditësimet e vazhdueshme. Ndërkohë, të tjerët duhet të rrinë në zyrë për të ndjekur ngjarjet, monitoruar mediat sociale për ndonjë zhvillim me rëndësi, si dhe për të mbështetur mbulimin e drejtpërdrejtë. 

Gazetarëve që dalin në terren duhet t’u tregohen detyrat e tyre dhe duhet t’u ofrohet gjithçka që u nevojitet, prej listave të përditësuara të kontakteve te informacioni rreth procedurave të votimit dhe përgjegjësive të mediave. Ata duhet të dinë se cilat qendra votimi janë duke i mbuluar, çfarë pyetjesh duhet të parashtrojnë dhe se si raportimi i tyre i kontribuon strategjisë së gjerë të redaksisë. Redaktorët duhet të sigurohen që gazetarët janë të familjarizuar me kufijtë ligjorë të asaj që mund ta raportojnë gjatë heshtjes zgjedhore.

 
Gazetarët gjatë ditës së zgjedhjeve 

Gazetarët në terren duhet të jenë të mirëpërgatitur, të informuar dhe të pajisur:

  • A e di se cilat qendra të votimit duhet t’i vizitoj?
  • A i kam rishikuar procedurat dhe rregullat e votimit?
  • A kam qasje në harta të përditësuara, informata rreth logjistikës dhe kontakte të emergjencës?
  • A i kam pajisjet e nevojshme (telefonin, diktafonin, kartën identifikuese, mbushësin e baterive)?

A më është caktuar ndonjë fokus specifik për artikullin ose temën?

KËSHILLA 23
Çka të raportoni në ditën e zgjedhjeve?

Përkundër natyrës kaotike të ditës së zgjedhjeve, shumë përmbajtje përcjellin vija të parashikueshme. Gazetarët duhet që, për së afërmi, të monitorojnë nëse qendrat e votimit janë hapur dhe mbyllur në kohë dhe nëse ka pasur mjaftueshëm materiale, siç janë fletëvotimet dhe listat e votuesve, në secilin vend.

Vetë përvoja e votimit ofron disa këndvështrime: A kishte radhë të gjata? A u ndihmuan mirëfilli më të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara? A u përball ndokush me sfida dhe a u kthye mbrapa? A kishte ndonjë përpjekje për të ndërhyrë në fshehtësinë e votës apo ndonjë shqetësim rreth sigurisë që e ndikoi procesin?

Përtej logjistikës, raportimi në ditën e zgjedhjeve po ashtu duhet të vlerësojë sjelljen e aktorëve politikë dhe mbështetësve të tyre. Gazetarët duhet të vëzhgojnë nëse ndokush bën fushatë brenda dhe afër qendrave të votimit, duke veshur simbole politike ose duke provuar t’u bëjë presion votuesve. Nëse ndodhin pengesat, është e rëndësishme që të dokumentohet se kush ishte i përfshirë, nëse ajo pengesë e ndikon votimin dhe nëse autoritetet reagojnë si duhet. 

Në të njëjtën kohë, media duhet të raportojë për përditësimet zyrtare. Konferencat për shtyp, të mbajtuara nga KQZ gjatë ditës, ofrojnë informata të verifikuara rreth daljes në zgjedhje, parregullsive të raportuara dhe gjendjes së procesit. Këto të dhëna janë qenësore për raportim të balancuar dhe autoritativ. Pos KQZ-së, gazetarët duhet t’i përcjellin vëzhguesit e pavarur të zgjedhjeve dhe organizatat e shoqërisë civile, që e monitorojnë procesin. Këto grupe, si Demokracia në Veprim dhe të tjerët, në mënyrë të shpeshtë publikojnë vlerësime rreth transparencës së zgjedhjeve, qasjes së votuesve dhe paanshmërisë procedurale. Gjetjet e tyre mund të shërbejnë si burime të rëndësishme, sidomos kur përcillen me informata tjera.

KËSHILLA 24
Raportimi rreth pretendimeve për mashtrime

Pretendimet për mashtrime në zgjedhje janë të zakonshme, sidomos në fushata të ashpra dhe gara të ngushta. Partitë politike shpesh e akuzojnë tjetrën në mënyrë të ngutshme, nganjëherë pa prova. Pretendime të këtilla, nëse raportohen në mënyrë jo-kritike, mund të dëmtojnë rëndë besimin publik në procesin zgjedhor. Gazetarët duhet të jenë të vëmëndshëm: jo çdo parregullsi përbën mashtrim. Disa probleme, siç mund të jenë dështimi për t’i ndjekur procedurat në qendra të votimit, mund të burojnë nga trajnimi i dobët ose nga ndonjë gabim administrativ e jo domosdo nga ndonjë qëllim i ligë. Është me rëndësi të vlerësohet konteksti, të flitet me punonjësit ose vëzhguesit zgjedhorë, si dhe të konsultohen burimet përpara se të arrini në përfundime.

Mashtrimi zakonisht përkufizohet si veprim i qëllimshëm që bëhet për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve. Nëse një rast i tillë ndodh, duhet të raportohet me kujdes, bazuar në fakte të verifikuara dhe burime të shumëfishta. Një incident i vetëm i një mashtrimi të konfirmuar nuk e bën të pavlefshëm të gjithë procesin zgjedhor, sidomos nëse votimi në vende të tjera ka shkuar pa probleme. Gazetarët duhet të shmangin nënkuptimin se pretendimet e izoluara dhe të pakonfirmuara e karakterizojnë procesin më të gjerë zgjedhor. 

Kurdo të jetë e mundur, balanconi raportimet tuaja, duke përfshirë reagimet nga KQZ dhe vëzhguesit e pavarur për t’u siguruar që saktësia dhe niveli i parregullsisë të jenë të prezantuara në mënyrë korrekte. Gazetarët po ashtu duhet ta shmangin gjuhën sensacionaliste ose supozimet kur mbulojnë raportet e vëzhguesve. Një parregullsi e raportuar në një qendër votimi duhet të trajtohet në proporcion e jo si dëshmi e shkuarjes huq të të gjithë procesit. 

Nëse një gazetar, personalisht sheh shkelje, ai duhet të kuptojë rrethanat kontekstuale dhe duhet t’i shmangë përgjithësimet bazuar në një përvojë të vetme. Ekuilibri, konteksti dhe verifikimi i fakteve janë qenësore kur raportohet për mashtrime sepse edhe pasaktësitë më të vogla mund të nxisin polarizim politik dhe mund të dëmtojnë legjitimitetin e procesit demokratik. 

KËSHILLA 25
Shpallja e rezultateve

Në momentin që mbyllen qendrat e votimit, të gjithë duan t’i dinë rezultatet, por raportimi rreth rezultateve të zgjedhjeve kërkon kujdes të shtuar. Gazetarët nuk duhet të publikojnë asnjëherë asnjë rezultat para se ato të shpallen zyrtarisht nga KQZ. Në të kundërtën, jo vetëm që shkelin ligjin por rrezikojnë të shkaktojnë huti publike dhe të dëmtojnë besimin në procesin zgjedhor.  

Është tejet e rëndësishme që publikut t’i shpjegohet procesi me qartësi: që KQZ fillon numërimin pasi të jenë mbyllur të gjitha vendvotimet, që rezultatet preliminare do të bëhen publike ndërkohë dhe që asnjë rezultat nuk është përfundimtar derisa të certifikohet. Gazetarët duhet të theksojnë se procesi i certifikimit, që përfshin ankesat e mundshme dhe rinumërimet, mund të marrë disa javë.

KËSHILLA 26
Sondazhet

Disa media bashkëpunojnë me organizata hulumtuese për të realizuar sondazhe në ditën e zgjedhjeve. Zakonisht, mediat tregojnë paraprakisht se kur do të bëhen publike rezultatet, kryesisht pasi të mbyllen qendrat e votimit. Derisa sondazhet mund të ofrojnë një pasqyrë të hershme, ato në vetvete janë të kufizuara. Votuesit mund të mos i tregojnë zgjedhjet e tyre ose nëse i tregojnë, mund t’i tregojnë ndryshe nga ç’kanë votuar njëmend dhe rezultatet mund të mos jenë përfaqësuese për të gjithë elektoratin.

Nëse redaksia juaj raporton për sondazhe apo projeksione statistikore bazuar në rezultate të pjesshme, ju duhet ta komunikoni qartazi metodologjinë e përdorur, margjinën e gabimit dhe çfarëdo kufizimi ligjor apo etik. Këto rezultate nuk duhet të bëhen publike pa u mbyllur çdo qendër e votimit.

KËSHILLA 27
Mbështetja në sondazhe të partive politike

Partitë politike shpesh i realizojnë sondazhet e veta dhe mbajnë konferenca për shtyp sapo të mbyllen qendrat e votimit, për t’i shpallur rezultatet e tyre të projektuara. Këto njoftime duhet të trajtohen me skepticizëm. Partitë kanë interes të qartë për ta prezantuar interpretimin më të favorshëm të rezultateve dhe numrat e tyre shpesh janë të ekzagjeruar. Gazetarët, që i mbulojnë këto konferenca për shtyp, duhet ta identifikojnë burimin e të dhënave në mënyrë të qartë, duhet t'i shmangen raportimit të atyre të dhënave si fakte, si dhe gjithnjë duhet t’i kontekstualizojnë të dhënat duke i përcjellur me të dhëna zyrtare ose të përmendin natyrën e paverifikuar të tyre.

KËSHILLA 28
Rezultatet e pjesshme

KQZ mund të fillojë të publikojë rezultate të pjesshme vazhdimisht, bazuar në qendër të votimit ose komunë, derisa numërimi vazhdon. Gazetarët mund t’i raportojnë këto përditësime, por vetëm nëse shpallen zyrtarisht nga zyrtarët përgjegjës ose KQZ, siç e parasheh ligji. Duhet të shmangen numrat jo-zyrtarë dhe të dhënat e partive politike, pos në rastet kur ato kontekstualizohen dhe kur, në mënyrë të qartë, tregohet se nga vijnë të dhënat. 

Edhe pse KQZ ofron përditësime në kohë reale në faqen e vet të internetit, numrat duhet të raportohen me kujdes të shtuar. Gjatë zgjedhjeve të vitit 2025, për shembull, problemet teknike shkaktuan mospërputhje në të dhënat e hershme, duke çuar në huti dhe keqraportim. Gazetarët duhet t’ia kujtojnë publikut se numrat e hershëm janë preliminarë, të ndryshueshëm dhe mund të mos pasqyrojnë numërimin përfundimtar. Verifikimi i informacionit dhe përmendja e qartë e statusit preliminar të rezultateve ndihmon në ruajtjen e besimit publik dhe garanton raportim të saktë dhe të përgjegjshëm.

KËSHILLA 29
Rezultatet përfundimtare

Rezultatet përfundimtare certifikohen nga KQZ, zakonisht brenda një muaji që prej mbajtjes së zgjedhjeve. Ky periudhë përfshin periudhën ligjore për parashtrim të ankesave dhe rinumërimet dhe verifikimet që mund të nevojiten. Gazetarët duhet t’ia bëjnë të qartë publikut që, derisa të certifikohen, rezultatet mbesin preliminare.