Rregullat e aplikueshme për të gjitha mediet


Kapitulli VIII – Mediat gjatë fushatës zgjedhore i Ligjit 8/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme vlen për të gjitha mediet: transmetuesit, të shtypur apo online, që nga fillimi i fushatës 30-ditore deri në mbylljen e qendrave të votimit. Derisa Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme obligon mediat që të jenë të drejta, transparente dhe të paanshme, Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) i zbaton këto rregulla vetëm ndaj transmetuesve audio-vizualë të licensuar apo siç njihen me termet e KPM, Ofruesit e Shërbimeve Mediale (OSHM). Përmes Rregullores për Obligimet e Ofruesve të Shërbimeve Mediale Gjatë Fushatës Zgjedhore, KPM ofron hollësi të mëtejme për transmetuesit audio-vizualë rreth obligimeve kur është fjala te raportimi për zgjedhjet. 

Pos kësaj rregulloreje, redaksitë dhe gazetarët e transmetuesve duhet t’i konsultojnë tri rregullore të tjera të KPM-së rreth mbulimit të zgjedhjeve: Kodin Etik për Ofruesit e Shërbimeve Mediale, Rregulloren për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Miturve, si dhe Rregulloren për Komunikimet Komerciale Audio-vizuale. Secila përmban dispozita specifike që mund të jenë të aplikueshme gjatë fushatës dhe duhet të merren parasysh, ashtu që të sigurohet një raportim gjithëpërfshirës dhe i përgjegjshëm për zgjedhjet.

Ndryshe nga kjo, obligimet e mediave të shtypura dhe atyre online burojnë vetëm nga Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, si dhe nga Kodi i Mediave të Shkruara i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK), i cili përcakton vetëm standarde të përgjithshme dhe, duke qenë se KMSHK është vetërregullator, e themeluar si organizatë jo-qeveritare (OJQ) me anëtarësi në baza vullnetare, nuk ka ndonjë mekanizëm zbatues. Si pasojë, mediet online operojnë pa ndonjë rregullim gjatë zgjedhjeve: për dallim nga transmetuesit audio-vizualë, ato nuk përballen me ndonjë obligim që ta njoftojnë ndonjë rregullator, të mbajnë regjistra javorë të reklamimit politik, apo t’i nënshtrohen ndonjë mase ndëshkuese, gjë që e lë respektimin e ligjit krejtësisht në diskrecionin e tyre.

Siç është bërë tashmë e ditur, Kosova nuk ka gazeta të shtypura që prej pandemisë COVID-19, ndonëse dy gazeta vazhdojnë të botojnë versione online. 

Që nga dita e parë e fushatës zyrtare, çdo transmetues i licensuar, botues apo platformë online, duhet t’i mbulojë zgjedhjet drejt, në mënyrë profesionale dhe të paanshme, në pajtueshmëri me etikën gazetareske dhe normat demokratike. Gjatë periudhës së heshtjes zgjedhore, që zgjat prej momentit kur hapen qendrat e votimeve deri në mbylljen e tyre, asnjë individ apo media nuk mund të transmetojë apo botojë ndonjë material që lidhet me fushatën.

 

Kur fushata fillon zyrtarisht, medieve u ndalohet organizimi ose botimi i sondazheve ose anketave rreth opinionit publik online përbrenda programit të tyre, përgjatë periudhës së fushatës dhe në ditën e zgjedhjeve.

 

Nëse ndonjë sondazh botohet ose transmetohet gjatë fushatës, duhet të përfshijë hollësitë kryesore metodologjike: emrin e palës që e ka komisionuar, agjencinë që e ka zbatuar, mostrën, margjinën e gabimit dhe datat e punës në terren. Megjithatë, 48 orë para hapjes së qendrave të votimit dhe deri të përfundojë votimi, ndalohet rreptësisht botimi, publikimi apo transmetimi i çfarëdo sondazhi ose projeksioni zgjedhor.

 

Po ashtu, gjatë 24 orëve të fundit para se të mbyllen qendrat e votimit, duke vazhduar deri në fund të procesit zgjedhor, mediave nuk u lejohet të botojnë apo transmetojnë rezultatet e asnjë hulumtimi rreth opinionit publik, që lidhet me zgjedhjet, përfshirë projeksionet rreth daljes në zgjedhje.

Ngjashëm, sipas rregullores së KPM-së, të gjitha sondazhet duhet të bëhen përkitazi me normat profesionale dhe etike: anketat e paverifikuara, metodat e njëanshme ose jo-përfaqësuese të përzgjedhjes së mostrës dhe pyetjet apo gjuha sugjestive janë shprehimisht të ndaluara. Nëse një sondazh nuk i përmbush këto kritere, transmetuesit mund t’i ndalohet publikimi i rezultateve të atij sondazhi.