Reklamimi politik me pagesë në mediet elektronike (televizion dhe radio)
Ofruesit e shërbimeve mediatike, përkatësisht transmetuesit audio-vizualë, që zgjedhin ta përfshijnë fushatën zgjedhore në programin e tyre, duhet ta njoftojnë KPM-në jo më vonë se shtatë ditë para se të fillojë fushata.
Gjatë fushatës 30-ditore, ofruesit e shërbimeve mediatike duhet të pranojnë reklamime të paguara politike nga të gjitha entitetet e certifikuara në mënyrë të barabartë. Sipas rregullores së KPM, spotet e paguara mund të jenë jo më të gjata se 120 sekonda dhe duhet të jenë të ndara nga përmbajtja redaktoriale, si dhe asnjëherë nuk duhet të jenë të integruara në buletinët e lajmeve të rregullta.
Të paktën shtatë ditë para fushatës, transmetuesit duhet të dorëzojnë në KPM dhe t’i bëjnë publike tarifat e tyre bashkë me oraret për reklamimin me pagesë. Çmimet për reklama politike nuk mund të jenë më të larta sesa tarifa më e ulët komerciale që është kërkuar për të njëjtin orar dhe ditë të javës në gjashtë muajt e fundit. Listat e çmimeve duhet të përfshihen në ofertën dërguar subjekteve politike, si dhe në faqen e internetit të transmetuesit. Po ashtu, KPM përpilon dhe publikon një tabelë përmbledhëse me oraret dhe çmimet e të gjithë transmetuesve.
Transmetuesit që zgjedhin të shesin hapësirë për reklama politike janë po ashtu të obliguar që ta rezervojnë një sasi minimale transmetimi falas për secilin subjekt politik të certifikuar. Transmetuesi publik duhet t’i ofrojë të paktën 40 minuta transmetim falas për çdo fushatë; televizionet private, që kanë mbulim nëpër gjithë Kosovën, të paktën 20 minuta; të gjitha televizionet tjera, të paktën 15 minuta; çdo kanal i radios, të paktën 30 minuta; çdo stacion i radios me mbulim në të gjithë Kosovën, të paktën 15 minuta dhe të gjitha radio-stacionet tjera, të paktën 10 minuta. Transmetuesit mund të ofrojnë hapësirë shtesë në baza vullnetare, për aq kohë sa të gjitha subjektet politike trajtohen drejt dhe barabartë.
Hapësira transmetuese pa pagesë gjatë fushatës zgjedhore mund të ofrohet sipas vullnetit të transmetuesit dhe në marrëveshje me subjektet politike. Kjo hapësirë mund të ketë forma të ndryshme, përfshirë spotet reklamuese politike pa pagesë, pjesëmarrjen në debate, programet e diskutimit, ose intervistat jashtë programit të rregullt të lajmeve. Transmetuesit që vendosin të mos transmetojnë reklama politike lirohen nga obligimi që të ofrojnë hapësirë transmetuese falas; megjithatë, nëse më vonë, ata vendosin të ofrojnë hapësirë, obligohen që t’ua ofrojnë atë të gjitha subjekteve politike barabartë.
Përgjatë fushatës, transmetuesit duhet të bëjnë regjistrime të përditshme të të gjitha transmetimeve politike me ose pa pagesë dhe t’i dorëzojnë ato në KPM çdo të hënë. Po ashtu, regjistrat duhet të jenë të hapur për inspektim publik.
Forma e gatshme e ditarit është e përfshirë si shtojcë në rregullore.
Në fund, rregullorja e përcakton kufirin e kohës transmetuese, që mund të shitet në gjashtë orë për të gjithë fushatën, në jo më shumë se 90 minuta për subjekt politik të certifikuar në cilëndo ditë, si dhe kërkon që oraret kur shikueshmëria është më e larta dhe ato kur është më e ulta, t’u ofrohen subjekteve në mënyrë të balancuar.
Reklamat me ekran të ndarë, telepromocionet, radio-promocionet dhe formatet virtuale të reklamave janë shprehimisht të ndaluara si forma të komunikimit komercial politik.