Obligimet e mediave të shtypura dhe online


Mediat e shtypura apo online, derisa nuk janë të mbikëqyrura nga KPM, mbeten të obliguara të zbatojnë Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme kur është fjala për raportim të drejtë, të baraspeshuar dhe të paanshëm. 

Neni 48 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme shprehimisht obligon çdo gazetar, redaktor dhe botues që t’i mbulojë të gjitha subjektet politike të certifikuara me profesionalizëm të barabartë dhe që të shmangin çfarëdo trajtimi favorizues ose anshmërie redaktoriale. Në terma praktikë, kjo nënkupton që kurdo që një media, e shtypur apo online, vendos t’i mbulojë zgjedhjet dhe të publikojë reklamim politik, ajo duhet që t’u ofrojë të gjitha subjekteve politike të certifikuara qasje në hapësirën e njëjtë, me tarifat e njëjta jo-diskriminuese, një numër rreshtash të krahasueshëm për faqe, derisa në të njëjtën kohë, secila reklamë duhet ta bëjë të qartë sponsorin e vet.

Përpos hapësirës me pagesë, mediat mund të ofrojnë hapësirë falas dhe t’ia ofrojnë atë mundësi secilit subjekt të certifikuar, në bazë të kërkesës. Përfundimisht, tarifat ndaj subjekteve politike nuk mund ta tejkalojnë tarifën më të ulët të bërë publike për reklama në hapësirë të ngjashme ose madhësi së kolumnës gjatë 30 ditëve paraprake, para nisjes së fushatës.

Për dallim nga transmetuesit, për mediat online dhe të shtypura nuk ka ndonjë entitet të jashtëm që i mbikëqyr, bazuar në licensë; zbatimi varet në respektimin e tyre vullnetar të ligjit, pasi Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, anipse është i fuqizuar të pranojë ankesa dhe të ndërmarrë veprime rreth tyre, nuk ka mekanizëm ndëshkues apo zbatues.