Komunikimet dhe njoftimet nga Komisioni Qendror Zgjedhor në mediat elektronike


Për dallim nga transmetuesit privatë, transmetuesi publik detyrohet t’i transmetojë pa pagesë të gjitha spotet e prodhuara nga KQZ rreth edukimit të votuesve.

Gjatë fushatës, transmetuesit duhet t’i caktojnë dhe t’i bëjnë publike paraprakisht të gjitha debatet e planifikuara dhe programet që përfshijnë subjekte politike, duke u siguruar kështu që secilës parti apo kandidati i ofrohet kohë e barabartë transmetuese, pavarësisht fuqisë së tyre parlamentare. Moderatorët e debateve dhe programeve obligohen t’i ndajnë kohë të barabartë secilit pjesëmarrës, si dhe koha e tërësishme e ndarë për një kandidat partiak llogaritet si pjesë e kohës së përgjithshme të ndarë për atë parti politike.  

Transmetuesit nuk bartin përgjegjësi nëse një parti dështon ta shfrytëzojë kohën e vet, si dhe asnjë program apo debat politik nuk mund të sponsorohet nga ndonjë parti apo aktor partiak.

Gjatë fushatës zgjedhore transmetuesit, në mënyrë proaktive, promovojnë parimet e barazisë gjinore dhe ato të përfshirjes së komuniteteve jo-shumicë në Kosovë, qoftë përmes organizimit të debateve politike, diskutimeve me ekspertë të pavarur, ose përmes çfarëdo mënyre që media e sheh të arsyeshme, për aq kohë sa nuk bie ndesh me rregulloren e KPM apo Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Në ditën e zgjedhjeve, asnjë transmetues nuk mund të transmetojë, publikojë ose botojë përmbajtje që lidhet me fushatën, nga momenti i hapjes, deri në momentin e mbylljes së qendrave të votimit. Sidoqoftë, mediat vazhdojnë ta mbulojnë procesin zgjedhor — të raportojnë për daljen në zgjedhje, njoftimet zyrtare nga KQZ dhe organet tjera relevante, si dhe çfarëdo çështje apo incident që mund të shfaqet ndërkohë. Ato janë të obliguara ta informojnë publikun për parregullsitë në proces.

Bazuar në udhëzimet nga KPM, përjashtim bëjnë deklaratat nga udhëheqësit partiakë apo kandidatët për kryeministër apo kryetar, të cilat mund të transmetohen gjatë ditës së zgjedhjeve, përfshirë deklaratat apo konferencat për shtyp që transmetohen drejtpërdrejt. Megjithatë, ndalohet transmetimi i çfarëdo komenti nga kandidatët në zgjedhjet parlamentare ose për asamble, derisa të mbyllen qendrat e votimit.