Fillon fushata zgjedhore


Në Kosovë, fushata zgjedhore zyrtarisht zgjat 30 ditë. Është e rëndësishme të bëhet dallimi midis shpalljes zyrtare të zgjedhjeve (bërë me dekret presidencial) dhe fillimit të fushatës zgjedhore (caktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, zakonisht 30 ditë para ditës së zgjedhjeve, në zgjedhje të rregullta). Gjatë kësaj kohe, reklamimi politik lejohet përkitazi me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe rregullat e përcaktuara nga KPM. Mediat janë të obliguara t’i mbulojnë aktivitetet zgjedhore me profesionalizëm, paanshmëri, si dhe në kohë, gjithnjë duke respektuar standardet dhe etikën gazetareske. 

Parimi më i rëndësishëm gjatë mbulimit të zgjedhjeve është të mbahet mend se media ekziston për t’i shërbyer publikut. Roli ynë është që të sigurohemi që votuesit të jenë të informuar dhe fuqizuar për të bërë zgjedhje në një proces të lirë dhe të drejtë. 

Siç edhe thuhet në një doracak për raportim për zgjedhje: gjatë zgjedhjeve, gjithçka është në duart e votuesve. Zyrtarët zgjedhorë janë thjesht “ndihmës të punësuar përkohësisht” dhe fushatat, në thelb, janë “aplikime për punë”, që dorëzohen nga politikanët. Është përgjegjësi e kandidatit që të dëshmojë se është i kualifikuar për punën. Është përgjegjësi e medias që të ndihmojë në realizimin e intervistave të punës, duke shtruar pyetje të vështira, duke verifikuar pretendimet dhe duke i mbajtur kandidatët llogaridhënës përgjatë gjithë procesit.

KËSHILLA 13
Jini të vëmendshëm ndaj reklamimit politik me ose pa pagesë

Derisa reklamimi politik me pagesë përgjatë fushatës zyrtare është i lejuar, është thelbësore që të monitorohet përmbajtja e këtij reklamimi me kujdes. Sipas rregullave të KPM, reklamat politike nuk duhet të përdorin fëmijët apo të miturit për qëllime politike dhe mediat kanë të drejtë të refuzojnë përmbajtje të tilla. Gjithnjë rishikoni përmbajtjet që u dërgohen para se t’i botoni apo transmetoni ato.

Sigurohuni që të gjitha partive politike u ofrohen mundësi të barabarta për të reklamuar në median tuaj. Nëse jeni transmetues, mbani regjistra të qartë dhe të përditësuar të të gjitha reklamave me pagesë dhe dorëzoni ato në KPM çdo të hënë, siç kërkohet.

Mbani në mend obligimet ligjore: nëse media juaj pranon reklama me pagesë, ju jeni të obliguar t’u ofroni partive hapësirë apo kohë transmetuese pa pagesë, ashtu që të sigurohet një qasje e balancuar për të gjithë.

Në fund, mos harroni t’i monitoroni reklamimet e partive në media sociale edhe gjatë fushatës. Kushtoni vëmendje se çka po promovojnë dhe shikoni nëse reklamimi i tyre është në përputhje me Kodin e Etikës. Reklamimi në media sociale shpesh është më pak transparent dhe më vështirë i rregullueshëm, prandaj është kritike që të vëreni përmbajtjen që mund të shkelë kufij, qoftë ligjorë apo etikë. Përdorni mjete si Ad Library të Meta për të përcjellur se sa po harxhojnë partitë, çfarë reklamash po prezantojnë dhe kë po e synojnë. Kjo mund t’u ndihmojë të vëreni mungesë të mundshme të balancës, taktikat e manipulimit ose shkeljet e rregullave të fushatës

KËSHILLA 14
Ndiqni programet e partive politike

Në Kosovë, partitë politike shpesh nuk përditësojnë faqet e tyre të internetit ose nuk publikojnë programet me kohë; nganjëherë nuk i publikojnë fare. Këto dokumente janë rrallëherë të qasshme në domenin publik dhe shpeshherë duhet kontaktuar zëdhënësit e partisë për t’i marrë ato. Përpiquni t’i siguroni programet partiake para se të fillojë fushata.

Programet politike janë burime qenësore. Ato përvijojnë kornizën e fushatës së secilës parti, që udhëzon fjalimet, tubimet dhe intervistat, si dhe shërbejnë si platformë qeverisëse nëse një parti e caktuar fiton zgjedhjet. Këto dokumente mund t’u ndihmojnë gazetarëve që të formulojnë pyetje të informuara, të vlerësojnë zbatueshmërinë e premtimeve dhe të analizojnë nëse partitë po u përgjigjen nevojave të qytetarëve. Shqyrtoni me kujdes premtimet: A janë të realizueshme? A kanë buxhetet kuptim? A po stërpremtojnë vetëm që të fitojnë vota?

Përdorni këto programe si bazë për artikuj analitikë, intervista me ekspertë dhe krahasime midis partive. Nëse një parti e vonon publikimin e programit, sidomos pak ditë para votimit, mbani përgjegjës për këtë. Shpesh, publikimi i vonshëm është strategji për ta shmangur shqyrtimin gazetaresk dhe për ta shtyrë mbulimin kah deklaratat jo konkrete nëpër tubime.

Megjithatë, nëse partitë politike nuk publikojnë fare programet e tyre, siç ndodh shpesh në zgjedhje lokale, gazetarët duhet të mbledhin të dhëna nga tubimet, debatet lokale, konferencat për shtyp dhe intervistat e kandidatëve, ashtu që ta kenë një ide më të qartë të prioriteteve dhe premtimeve të tyre. Gjuha dhe qëllimet mund të analizohen në mënyrë kritike edhe pa dokumente formale. Në raste të këtilla, gazetarët duhet të mbështeten edhe në punën e mëparshme të kandidatit në qeveri, për ta vlerësuar se si mund të jetë qasja e tyre në të ardhmen. Shqyrtimi se çka kanë bërë (ose nuk kanë bërë) kandidatët në mandatet e mëparshme mund t’u ofrojë votuesve informata të rëndësishme rreth asaj që mund të presin në të ardhmen.

KËSHILLA 15
Publikoni profile që t’u jepni votuesve qartësi dhe kontekst

Kur të mblidhet informacioni i nevojshëm, mos e lini që të rrijë i pashfrytëzuar. A ju kujtohen të dhënat që i keni mbledhur rreth kandidatëve, partive dhe profilet rajonale? Përpunojini këto të dhëna dhe përgatiteni materialin për botim që në fillim të fushatës. Provoni të hartoni një profil për secilin kandidat që garon për postin e kryeministrit ose kryetarit të komunës, për secilën parti në garë dhe për rajonet më të rëndësishme sa u përket zgjedhjeve. Këto profile nuk kanë nevojë të përmbajnë secilën hollësi — qëllimi është që t’u ndihmoni qytetarëve që të bëjnë zgjedhjet e tyre në një mënyrë të kontekstualizuar, e jo t’u prezantohet secili opsion si i izoluar.

Kjo gjë i pajis votuesit me kontekst bazik para se të shpeshtohet retorika e fushatës. Këto profile mund të ndihmojnë të shkohet përtej mbulimit të fragmentuar, të llojit “ai tha, ajo tha”, duke e rrënjosur raportimin në fakte të verifikuara dhe në kontekst. Publikimi në kohën e duhur i fuqizon votuesit që ta kuptojnë më mirë se kush po garon, çka përfaqësojnë ata dhe si mund të performojnë në një rajon të caktuar.

KËSHILLA 16
Përgatisni dhe realizoni intervista me kandidatë

Intervistat me kandidatë ose udhëheqës të partive janë pjesë qendrore e mbulimit zgjedhor. Ato u japin gazetarëve mundësinë që t’i analizojnë programet politike në hollësi dhe t’u ofrojnë votuesve një ide më të qartë për planet, prioritetin dhe karakterin e kandidatit. Por, intervistimi i politikanëve kërkon përgatitje të lartë, të menduar kritik dhe kontroll të fortë të bisedës.

Filloni duke hulumtuar prapavijën e kandidatit. Mblidhni të dhëna rreth pozitave të tij të mëparshme, deklaratat publike, punën e tyre në politika, premtimet e fushatës, burimet e financimit dhe rreth reputacionit të tyre. Analizoni se si kanë performuar në të kaluarën, cilat premtime i kanë mbajtur e cilat jo dhe si janë të perceptuar, qoftë prej aleatëve, qoftë prej kundërshtarëve.

Përgatisni pyetjet paraprakisht, duke i renditur sipas rëndësisë. Mbani pyetjet të shkurtra, specifike dhe të hapura. Pyetjet e gjata dhe jo specifike ua mundësojnë politikanëve që ta çojnë bisedën ku u përshtatet atyre. Përqendrohuni në “si”: si do të realizohen, financohen dhe prioritizohen premtimet? Çka i dallon ato prej kandidatëve tjerë? Përshtatni pyetjet ashtu që t’i reflektojnë brengat kryesore të qytetarëve, duke mbuluar çështje kryesore si ekonomia, shëndeti, edukimi, politikat mjedisore ose mbrojtjen sociale. Për zgjedhjet lokale, përshtatni pyetjet ashtu që të jenë specifike për sfidat e rajonit përkatës.

Mos harroni që intervista nuk është plaftormë për fushatë. Si gazetar, roli juaj është të mos u jepni kandidatëve kohë falas për t’i reklamuar programet e tyre. Jini të vëmendshëm dhe vëreni nëse ajo që ata po thonë ka kuptim dhe nëse përputhet me veprimet e tyre të mëparshme. Gjithnjë bëni pyetje shtesë, që janë të mprehta dhe qartësuese, ashtu që të siguroheni që qytetarët të marrin informata të sakta e kuptimplota, që do t’u ndihmojnë atyre të marrin vendime të informuara.

Gjatë intervistës, mbani kontrollin e bisedës. Politikanët e shkathtë mund ta devijojnë ose të provojnë të dominojnë bisedën. Me mirësjellje ndërpreni ata nëse është e nevojshme dhe kthehuni te pyetja juaj origjinale derisa të merrni përgjigje të qartë. Jini të vendosur, por gjithnjë të sjellshëm. 

KËSHILLA 16
Aplikoni parimet e njëjta për të gjithë kandidatët

Gjithnjë zbatoni parimin e trajtimit të barabartë për të gjithë kandidatët dhe partitë politike. Nëse vendosni të intervistoni një kandidat, ju duhet t’ua ofroni mundësinë e njëjtë kandidatëve që garojnë për të njëjtën pozitë, qoftë ajo në kuvend apo asamble komunale. Ky parim duhet të respektohet nëpër të gjitha platformat, të shtypura, online, audio-vizive, ashtu që të shmangen perceptimet e njëanshmërisë ose favorizimit dhe që të mbroni redaksinë tuaj nga akuzat e mundshme për anim politik.

Megjithatë, trajtimi i barabartë nuk duhet të vijë në kurriz të pavarësisë redaktoriale. Mbajtja e paanshmërisë nuk nënkupton të mos bëni pyetje të vështira, që i mbajnë kandidatët llogaridhënës. Duhet t’i shqyrtoni në mënyrë kritike të gjitha partitë politike, t’i sfidoni pretendimet e tyre, ta denonconi gjuhën e urrejtjes dhe shkeljet ligjore. 

Duke siguruar qasje të barabartë dhe duke mbajtur qëndrimin të qartë redaktorial, në të njëjtën kohë, ju forconi besueshmërinë e medias dhe kultivoni besimin e publikut ndaj raportimit tuaj.

KËSHILLA 17
Përgatisni debatet mirë

Debatet zgjedhore të mirëorganizuara janë pjesë jetike e mbulimit të fushatës dhe u ofrojnë votuesve mundësinë që të dëgjojnë drejtpëdrejt nga kandidatët ose ekspertët rreth çështjeve kryesore. Zakonisht, janë tri lloje debatesh: midis kandidatëve ose përfaqësuesve partiakë; midis kandidatëve dhe ekspertëve; dhe tryezat e ekspertëve që shqyrtojnë tema që lidhen me zgjedhjet nga një pikëpamje jo-partiake.

Debatet midis kandidatëve mund të jenë të dy formateve. Në njërin, kandidatët ndërveprojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe i argumentojnë pikat e tyre, duke mundësuar një përplasje dinamike të ideve, por ky format kërkon një moderator të shkathtë për ta mbajtur diskutimin të civilizuar, të balancuar dhe të përqendruar në temë. Në formatin e dytë, secili kandidat u përgjigjet pyetjeve të njëjta me radhë, gjë që siguron paanshmëri dhe kohë të barabartë për të folur, por kjo mund të kufizojë mundësinë për t’i sfiduar pikat e jo-konsistente dhe premtimet jo-konkrete.

Debatet midis kandidatëve dhe ekspertëve zakonisht shkojnë sipas një formati të pyetjeve dhe përgjigjeve, ku ekspertët shtrojnë pyetje specifike, bazuar në fushën e tyre të ekspertizës, duke i sfiduar kandidatët që të shpjegojnë dhe mbrojnë pozicionet e tyre. Ky format inkurajon diskutim më të thellë të ligjeve dhe politikave, mundëson shqyrtim të bazuar në fakte dhe kontribuon në reduktimin e hendekut midis premtimeve politike dhe realiteteve praktike.

Tryezat e ekspertëve ose të shoqërisë civile janë një format tjetër me vlerë, sidomos kur synohet të shpjegohen implikimet në politika. Këto debate ofrojnë analizë të pavarur dhe të thellë rreth çështjeve specifike zgjedhore dhe, si të tilla, mund t’u ndihmojnë votuesve që të kuptojnë më mirë çështjet thelbësore që varen nga ky proces politik.

Nëse redaksia juaj vendos të organizojë një debat, përgatituni mirë. Njoftoni të gjithë kandidatët paraprakisht rreth formatit, temave dhe rregullave të debatit. Në fillim, ua shpjegoni në mënyrë të qartë strukturën mysafirëve: sa pyetje do të parashtrohen, sa ka kohë secili kandidat për përgjigje, sa runde të përgjigjeve lejohen dhe si do të trajtohen replikat. Parashtroni pyetje specifike, të përqendruara në zbatimin e programeve, mos pyesni thjesht se çka planifikojnë të bëjnë, por si synojnë ta realizojnë atë që e premtojnë. Përfshini pyetje që pasqyrojnë brengat dhe realitetet e përditshme të qytetarëve.

Për ta bërë debatin më përfshirës, inkuadroni audiencën. Lajmërojeni ngjarjen në media sociale, ftoni përdoruesit që të dërgojnë pyetje dhe zgjidhni disa për t’i parashtuar në debat. Pjesëmarrja e audiencës është vlerë e shtuar dhe siguron që interesi publik reflektohet në diskutim.

Mbi të gjitha, caktoni rregulla të qarta dhe aplikoni ato në mënyrë konsistente. Koha e barabartë për të folur, dialogu i ndërtuar me respekt dhe transparenca në debat janë qenësore për ta mirëmbajtur besueshmërinë dhe paanshmërinë gjatë procesit.

Nëse një parti politike refuzon të marrë pjesë në debat, ju nuk keni përgjegjësi ligjore, për aq kohë sa u keni dhënë mundësi të drejtë dhe të barabartë për të marrë pjesë. Detyra juaj si media është që të ofroni hapësirë, të dërgoni ftesa zyrtare dhe të siguroni transparencë. Nëse një parti nuk e pranon ftesën, sigurohuni që ta bëni këtë të qartë dhe ta shpjegoni mungesën e tyre. Kjo, jo vetëm që mbron integritetin tuaj redaktorial, por po ashtu siguron që votuesit ta kuptojnë se cilat parti po shmangin shqyrtimin publik dhe debatin.

KËSHILLA 18
Jini të vëmendshëm ndaj gjuhës nxitëse dhe të urrejtjes

Gjuha e urrejtjes është e zakonshme gjatë fushatës zgjedhore, sidomos në retorikën që shkëmbehet midis kandidatëve dhe partive politike. Këto deklarata mund të nxisin tensione, të shkurajojnë pjesëmarrjen e votuesve dhe t’i polarizojnë votuesit. Në Kosovë, ankesat për gjuhë të tillë zakonisht trajtohen nga Paneli Zgjedhor për Ankesa the Parashtresa (PZAP), që ka autoritetin t’i gjobitë partitë politike dhe kandidatët për përdorim të retorikës së urrejtjes ose diskriminuese. PZAP reagon ndaj ankesave dhe mund të imponojë ndëshkime të kufizuara, kryesisht në formë të gjobave në vlera monetare. Megjithatë, gjuha e urrejtjes që përbën vepër penale bie nën juridiksionin e gjyqësorit dhe jo të organeve zgjedhore. 

Si gazetarë, është qenësore që të mos riprodhoni në mënyrë jo-kritike gjuhën e urrejtjes. Në vend të kësaj, raportoni dhe tregoni që ajo gjuhë është përdorur dhe kontekstualizoni atë: shpjegoni pse një gjuhë e tillë është e dëmshme, duke përfshirë komente nga ekspertë, si dhe referojuni kornizës ligjore relevante dhe vendimeve të PZAP. Gjithnjë merrni parasysh kontekstin më të gjerë: Pse është bërë ajo deklaratë? Në çfarë konteksti? Kush ishte caku? A ishte kjo një shpërqendrim nga ndonjë temë tjetër? A kemi të bëjmë me manipulim politik?

Shmangni shumësimin e gjuhës diskriminuese, seksiste dhe nxitëse. Raportoni këto incidente në mënyrë kritike dhe të përgjegjshme, duke ndihmuar audiencat që të kuptojnë, jo vetëm çka u tha, por edhe pse ka rëndësi dhe pse është problematike. Kjo qasje mbron besueshmërinë tuaj dhe kontribuon në një diskurs publik më të informuar dhe më të respektueshëm.

KËSHILLA 19
Siguroni përfaqësim gjinor dhe gjithëpërfshirje në mbulimin tuaj zgjedhor

Barazia gjinore gjatë fushatës nuk është thjesht një obligim ligjor gjatë zgjedhjeve, por edhe përgjegjësi gazetareske. Si redaktor apo gazetar, roli juaj është jo vetëm që ta reflektoni diversitetin e mjedisit politik, por edhe të shqyrtoni në mënyrë kritike se sa gjithëpërfshirës është ai mjedis. Përfaqësimi gjinor shkon përtej kuotave; ka të bëjë me dukshmëri, zë dhe me atë se si kandidatët dhe çështjet parashtrohen në diskursin publik. Zgjedhjet tuaja redaktoriale — kush intervistohet, kush paraqitet në debate, si shkruhen artikujt dhe çfarë burimesh kanë, në mënyrë të drejtpërdrejtë formësojnë perceptimin publik ndaj grave në politikë. Kushtoni rëndësi të veçantë asaj se si adresohen, apo përjashtohen plotësisht çështjet gjinore në programet politike. A trajtohen ato si prioritete thelbësore të politikave apo anashkalohen me referenca të vagëta? Mbulimi zgjedhor që shpërfill këto dinamika rrezikon t’i përforcojë pabarazitë sistemike, në vend se t’i sfidojë ato. Ja katër gjëra për t’i marrë për bazë teksa punoni drejt një raportimi më gjithëpërfshirës dhe të ndjeshëm gjinor.

  • Sigurimi i balancës gjinore në fletëvotim 

Sistemi zgjedhor i Kosovës përfshin një kuotë gjinore që kërkon që të paktën 30% e kandidatëve në listën e secilës parti politike të jenë gra dhe të paktën 30% burra. Po ashtu, ligji obligon që një kandidat i secilës gjini të përfshihet së paku një here në secilin grup prej tre kandidatëve, duke siguruar një shpërndarje më të barabartë në vend se të vendosen të gjitha gratë në fund të listës. Në kuadër të raportimit tuaj për zgjedhjet, monitoroni nëse partitë politike po e respektojnë këtë kuotë dhe theksoni nëse ndonjëra shkon përtej minimumit, duke sinjalizuar kështu një përkushtim më serioz ndaj barazisë gjinore. Vështroni me vëmendje se si pozicionohen kandidatët: A janë vendosur gratë në vende që kanë gjasa të zgjedhen apo janë përfshirë vetëm sa për të përmbushur pragun ligjor? 

  • Siguroni përfaqësim gjinor në debatet tuaja dhe diskutimet me ekspertë

Kur organizoni debate, intervista apo tryeza me ekspertë shmangni panelet që përbëhen vetëm nga burrat. Mungesa e zërave të grave përforcon pabarazinë dhe dështon ta pasqyrojë diversitetin e shoqërisë. Jini të qëllimshëm kur është fjala te përfshirja e grave, qoftë si kandidatë, ekspertë apo përfaqësues të shoqërisë civile. Nëse ka pak gra që garojnë, përfshini zëra relevantë të grave nga partitë ose organizatat e përqendruara në çështje të caktuara. Baraspesha gjinore duhet të reflektohet në të gjithë programin tuaj. Roli juaj si moderator është po ashtu që të sfidoni komentet seksiste ose përjashtuese dhe të mbani një ambient ku mbizotërojnë respekti dhe barazia.

  •  Jini të vëmendshëm ndaj stereotipeve dhe diskriminimit gjinor në portretizimet mediatike

    Jini të kujdesshëm se si i portretizoni gratë në mbulimin tuaj. Shmangni stereotipet gjinore dhe sigurohuni që kandidatet gra të trajtohen me seriozitetin dhe shyrtimin e njëjtë gazetaresk si burrat. Sfidoni gjuhën nënçmuese dhe seksiste dhe mos hezitoni t’i kundërshtoni përpjekjet për t’i deligjitmuar gratë në politikë. Kushtoni vëmendje të veçantë se si gratë shënjestrohen në diskurs publik, qoftë përmes sulmeve në media sociale, narrativave diskredituese ose kritikave të përqendruara në karakter — gjëra me të cilat kandidatët burra zakonisht nuk ballafaqohen. Adresoni këto modele në raportimin tuaj, ashtu që t’u ndihmoni audiencave që t’i dallojnë dhe kuptojnë dinamikat e gjera të pabarazisë gjinore në jetën politike.

  • Siguroni qasje të ndjeshme gjinore në raportimin tuaj

Shkoni përtej numërimit të grave në listat e kandidaturës dhe analizoni se si adresohen çështjet gjinore në programet politike. Çka propozojnë partitë politike kur është fjala te punësimi i grave, kujdesi shëndetësor, puna e papaguar e kujdesit, mbrojtja nga dhuna me bazë gjinore, arsimimi, mundësitë për pozita udhëheqëse? Mbështeteni raportimin tuaj me të dhëna relevante rreth shkallës së papunësisë te gratë, barrën e punës së papaguar të kujdesit dhe nivelin e dhunës me bazë gjinore, ashtu që të vini theksin te urgjenca e këtyre çështjeve. Shqyrtoni nëse partitë po i shpërfillin këto probleme strukturore dhe nëse ato po i reduktojnë rolet e grave në role të kujdestarisë ose amësisë, në vend se t’i paraqesin ato si aktore të barabarta sociale dhe politike.

KËSHILLA 20
Siguroni mbulim të minoriteteve etnike dhe partive

Kosova është shoqëri shumëetnike dhe sistemi zgjedhor i vendit e reflekton këtë, duke rezervuar 20 ulëse në kuvend për komunitetet minoritare — 10 për komunitetin serb dhe 10 për komunitetet tjera jo-shumicë, përfshirë komunitetet rom, ashkali, egjiptian, boshnjak, turk dhe të tjerë. Pavarësisht kësaj strukture, mbulimi zgjedhor në media në Kosovë ka tendencë të përqendrohet gati ekskluzivisht në partitë politike shqiptare dhe popullsinë shqiptare. Si rezultat, nevojat, brengat dhe dinamikat politike të komuniteteve minoritare shpesh mbeten të paraportuara, derisa partitë që përfaqësojnë këto komunitete marrin shumë më pak vëmendje gazetareske krahasuar me partitë shqiptare. 

Ky hendek është edhe më i vërejtshëm gjatë zgjedhjeve lokale, ku minoritetet shpesh përballen me nënpërfaqësim sistemik dhe agjendat e tyre politike mbesin kryesisht të pashqyrtuara. Zgjedhjet lokale janë hapësirë qenësore për t’i adresuar nevojat e menjëhershme komunitare si arsimi, infrastruktura, punësimi dhe qasja në shërbime. Media bart përgjegjësi që, në mënyrë të përgjegjshme, t’i përfshijë zërat e minoriteteve dhe të sigurohet që votuesit prej këtyre komuniteteve të jenë të informuar dhe përfaqësuar në mënyrë të barabartë. 

  •  Komuniteti serb

Partitë që përfaqësojnë komunitetin serb luajnë rol të rëndësishëm në sistemin politik të Kosovës, sidomos në komunat me shumicë serbe. Gazetarët duhet t’i mbulojnë platformat e tyre me kujdesin e njëjtë me atë që ua kushtojnë partive tjera politike dhe të raportojnë rreth premtimeve, performancës dhe pozicioneve rreth çështjeve kryesore. Monitoroni se si këto parti adresojnë nevojat e njerëzve që i përfaqësojnë dhe si përputhet ose jo fushata e tyre me përpjekjet më të gjera për bashkëpunim ndëretnik. Kushtoni vëmendje të veçantë nëse këto parti promovojnë politika gjithëpërfshirëse ose përforcojnë ndasitë etnike dhe sigurohuni të vini theksin te brengat e votuesve në këto fusha përmes intervistave dhe raportimit nga terreni.

  • Minoritetet tjera etnike (rom, ashkali, egjiptian, boshnjak, turk dhe tjerë)

Partitë dhe kandidatët që përfaqësojnë komunitetet minoritare jo-serbe shpesh marrin vëmendje minimale mediatike, pavarësisht faktit se janë pjesë jetike e infrastrukturës demokratike të Kosovës. Këto komunitete përballen me sfida të veçanta shoqërore dhe ekonomike, siç janë: diskriminimi sistemik, mungesa e qasjes në shërbime, punësimi i ulët dhe përjashtimi shoqëror. Gjatë fushatës, gazetarët duhet të sigurohen që mbulimi i tyre reflekton zërat, prioritetet dhe platformat politike të këtyre komuniteteve. Krijoni profile të kandidatëve të kësaj prapavije, raportoni prej rajoneve të tyre dhe vlerësoni se si partitë politike planifikojnë t’i adresojnë çështjet e tyre.

Gjithashtu, monitoroni nëse korniza ligjore për përfaqësimin e minoriteteve po respektohet në listat e kandidatëve dhe strategjitë e partive. Ofrojuni hapësirë organizatave komunitare dhe ekspertëve, të cilët mund t’i kontekstualizojnë shqetësimet e këtyre komuniteteve përbrenda mjedisit më të gjerë elektoral. 

KËSHILLA 20
Ndërveproni me rininë

Kosova ka një prej popullsive më të reja në moshë, e prapëseprapë rinia shpesh është e paangazhuar politikisht dhe e nënpërfaqësuar në mënyrën se si mbulohen zgjedhjet. Shumë i kapërcejnë mediat tradicionale, duke preferuar platformat si Facebook, Instagram dhe TikTok. Të ndërveprosh me ta kërkon formate specifike, gjuhë të afërt dhe përmbajtje që pasqyron shqetësimet e tyre, siç janë: punësimi, arsimimi dhe të drejtat e njeriut. 

Media duhet të shkojë përtej vetëm informimit të të rinjve dhe duhet t’i përfshijë ata. Krijoni mundësi për pjesëmarrje, duke ftuar zërat e tyre, duke i përfshirë në biseda dhe duke sjellur në pah pikëpamjet e tyre në çështje të rëndësishme. Përdorni video të shkurtra ose sondazhe në media sociale për t’i shpjeguar proceset e votimit dhe për t’i theksuar politikat që janë relevante për të ta, duke u siguruar që përmbajtja përfshin zëra prej të rinjve nga minoritetet etnike dhe nga zonat rurale, ashtu që të përfaqësohet diversiteti i Kosovës.

KËSHILLA 21
Kontribuoni në edukimin e votuesve

Në çdo zgjedhje, media luan rol jetik, jo vetëm në raportimin rreth partive dhe kandidatëve, por edhe në edukimin e publikut se si të marrin pjesë në procesin zgjedhor. Sipas Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme, transmetuesit publikë janë të obliguar të transmetojnë të gjitha materialet edukative të prodhuara nga KQZ. Këto materiale zakonisht përfshijnë informata rreth procedurave të votimit, proceseve të regjistrimit dhe të drejtave të votuesve. 

Megjithatë, përgjegjësia nuk duhet të bie vetëm te transmetuesit publikë. Të gjitha mediat, televizionet, radiot dhe mediat online duhet po ashtu të kontribuojnë në edukimin e votuesve. Kjo mbështet pjesëmarrje të informuar dhe fuqizon procesin demokratik. Qytetarëve u duhet më shumë sesa sloganët dhe pamjet e partive, atyre u nevojitet informacion i besueshëm dhe i qasshëm se si ta ushtrojnë të drejtën e tyre për votim.

Gazetarët kanë për detyrë t’i shpjegojnë procedurat e votimit në mënyrë të qartë dhe konsistente, duke përfshirë:

 

  • Kush mund të votojë;
  • Si dhe kur të bëhet regjistrimi për të votuar;
  • Kur hapen dhe mbyllen vendvotimet; 
  • Ku, kur dhe si të votohet; 
  • Sa kandidatë mund të votohen, varësisht nga lloji i zgjedhjeve;
  • Si të gjendet vendvotimi; 
  • Si të votohet nga jashtë (vota e diasporës);
  • Si të votohet nëse dikush është jashtë komunës ose qytetit të banimit në ditën e zgjedhjeve.

Për ta bërë edukimin e votuesit më përfshirës dhe efektiv, vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet dy grupeve:

  • Atyre që votojnë për herë të parë, sidomos atyre që janë bërë 18 vjeç para ditës së zgjedhjeve. Media duhet të ofrojë informacion të qartë, qasshëm dhe të përshtatur rreth si, ku dhe kur mund të votojnë, duke përdorur formate dhe gjuhë të përshtatshme për të rinjtë.
  • Votuesit nga diaspora, të cilët duhet të regjistrohen brenda një afati të prerë kohor për të votuar nga jashtë. Gazetarët duhet të theksojnë këtë afat kohor herët gjatë fushatës zgjedhore, që të sigurohen se qytetarët me të drejtë vote të kenë mjaftueshëm kohë për ta realizuar procesin e regjistrimit dhe për të marrë pjesë në zgjedhje.
  • Media mund të përmbushë këtë rol duke prodhuar shpjegues, infografika, formate pyetjesh dhe përgjigjesh, video-udhëzues dhe postime në media sociale, duke synuar veçanërisht njerëzit që votojnë për herë të parë dhe komunitetet e margjinalizuara.